
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot në vëmendje 23 dhjetorin e vitit 1966, datë u përcoll urimi i fundit i Krishtlindjes në Shqipërinë diktatoriale.
Përmes një telegrami, kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale, kryepeshkopi Damian i komunikonte urimin e rastit kryetarit të Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Ernest Çobës, duke bashkuar lutjet “për një paqe në mbarë botën dhe begatinë e atdheut tonë të shtrenjtë”. Koha tregoi se ky urim nuk ishte aspak profetik, pasi motin e mëpasshëm nisi periudha ateiste në Shqipëri.
“Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet dhe zhvillon propagandë ateiste për të përfshirë njerëzit në botëkuptimin shkencor materialist.”- deklarohej në nenin 37 të Kushtetutës së Republikës Popullore. Megjithatë, figura e klerit ishte vënë nën shenjestër kohë më parë, që prej instalimit të regjimit totalitar.
Në dhjetor 1945 u vunë në pranga dhjetëra klerikë dhe besimtarë katolikë. Një pjesë e tyre u dënuan në gjyqe të udhëhequra nga ushtria.
Në mars 1946, u ekzekutuan shtatë besimtarë. Kjo fushatë kanosëse kundër fesë u përshkallëzua deri në përligjjen e cenimit të objekteve të kultit, pas fjalimit të mbajtur nga Enver Hoxha më 6 shkurt 1967.



