Gjatë riparimeve të një rezervuari në Itali janë zbuluar mbetjet e një fshati i cili ka qenë i zhytur nën ujë për disa dekada.
Liqeni Resia, në veri të Italisë, njihet për kambanën e kishës, që duket mbi ujërat e tij të akullta. Skena ikonike ka qenë frymëzimi për një libër dhe një serial në Netflix.
Gjatë kohës së drenazhimit të përkohshëm të liqenit, vendasit kanë qenë në gjendje të shohin mbetjet e fundit të Curon-it, një fshat i cili banohej nga qindra njerëz para se të përmbytej dhe të kthehej në hidrocentral në vitin 1950.
Liqeni Resia ndodhet në Tirolin e Jugut, në zonën alpine në kufi me Austrinë dhe Zvicrën. Fotot e shpërndara në rrjete sociale tregojnë shkallë, qilarë dhe mure në zonën ku normalisht duhej të ishte shtrati i liqenit, në afërsi të kullës së kishës së famshme.
Fshati i Curon-it humbi nën ujë në vitin 1950, kur autoritet vendosën të ndërtonin një digë dhe të bashkonin dy liqene në afërsi të fshatit. U përmbytën më shumë se 160 shtëpi dhe popullsia e fshatit u vendos diku tjetër. Disa banorë vendosën të jetonin në fshatin e krijuar aty afër.
Në ditët e sotme, liqeni është shumë i famshëm. Ka shumë njerëz që e vizitojnë atë në verë, por edhe në dimër, kur është e mundur të ecet mbi akull dhe të shihet kulla e kishës nga afër./ BBC



