Botuesja Loreta Berhami deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se në Shqipëri nuk ka pasur libra që kanë shitur më shumë se 10 mijë kopje, ku bestseller-a konsideron librat me mbi 2 mijë kopje.
Bestseller-i në Shqipëri, diku mbi 2000 kopje është bestseller. Nuk ka pasur libra që kanë shitur mbi 10 mijë kopje. Ndoshta kanë arritur librat e Fevziut, Blushit, por aq kanë qenë”.
Sa i takon hapjes së librarive të reja, Berhami tha se nuk ka interes pasi ka pak njerëz që lexojnë. Berhami vlerëson investimet që janë bërë së fundmi në letërsinë për fëmijë.
S’ka interes. Ka njerëz që e duan librin. Jemi me qindra, është pak problem i epokës, pak i shqiptarëve që kanë të tjera halle. Influencohemi edhe nga trendet e momentit. Kemi më pak traditë. Jemi pak si majmunët, imitojmë çdo gjë që vjen që andej, në mënyrën më të keqe. Ai sondazhi i famshëm thoshte që 80 për qind nuk kanë blerë asnjë libër vitin e kaluar! Ekziston një klasë e mesme shqiptare që e kupton rëndësinë e kësaj gjëje. Ndonëse nuk gjen kohë për veten prindi, do ta edukojë fëmijën me leximin. Në letërsinë për fëmijë ka pasur investim. Duhet të bëjmë llogaritë me rrjetet sociale”.
Ajo tha se shtypshkronja është një biznes i vështirë në Shqipëri, ku fjala e shtypur është gjithmonë në rënie. Duke folur mbi abetaren unike të botuar nga shtëpia botuese “Pegi” Berhami tha se mbi atë libër është derdhur shumë pasion, dhe është parë me kujdes çdo pikëpresje.
Një shtypshkronjë është një lloj biznesi, është i vështirë, duhet të bësh shumë investime në makineri. Fjala e shtypur është gjithmonë në rënie, është bërë një treg super kompetitiv dhe shtrydhës nga të dy anët, si nga oferta ashtu edhe nga kërkesa. Ka botues që e mbajnë shtëpinë botuese sa për pasion, sa për të siguruar një rrogë. Ka disa shtëpi botuese, që s’janë shumë, që kanë staf, që kanë dedikim dhe seriozitet të vazhdueshëm. Por nuk janë kaq të shumta.
Unë abetaren e kam parë një herë, është marrë ime më 12 orë në ditë. Atë abetare mund ta kenë parë diku te 100 veta. Nuk e ke idenë se çfarë pasioni është derdhur te ajo abetare. Çdo pikëpresje është parë me kujdes. Janë shtypur 30 mijë kopje në Shqipëri dhe 30 mijë në Kosovë”.



