
Pas Shkupit, ekspozita me dorëshkrimet e hierarkut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, u shfaq sot në mjediset e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Në çeljen e kësaj ekspozite të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe Agjencinë Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut dhe njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve , Bislim Bislimi, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Znj. Blerina Rugova Gaxha, shkrimtarë dhe qytetarë të interesuar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bislimi theksoi rolin dhe angazhimin e Kadaresë në drejtim të pavarësisë së Kosovës.
Nga ana tjetër Bido u shpreh se nëpërmjet dorëshkrimeve të ekspozuara, depërtojmë në rrymën e nëndheshme të veprës Kadarenë, identitetin tonë kombëtar.
Ndërsa, në fjalën e saj, Gaxha vlerësoi perspektivën që ekspozita ofron, duke i ftuar studiuesit për t’u njohur me variantet fillestare të veprave të Kadaresë.
Është shumë me rëndësi që ta mirëpresim sot ekspozitën mbi një prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Për të gjithë ne si lexues, kjo ekspozitë jep një perspektivë tjetër të veprës së Kadaresë, të një ane të dorëshkrimeve që sot është pothuaj në zhdukje. Shoh pjesë nga romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, romani i parë modern në letërsinë shqipe. Vepra ‘Frymëzime djaloshare’, që ka sjellë një frymë të re në poezinë shqiptare. Ndaj, kjo perspektivë mbi veprën e Kadaresë është e mirëseardhur dhe e rëndësishme, që të kemi një pasqyrë për t’iu kthyer Kadaresë edhe nëpërmjet shkrimit intim, versioneve të para të veprave të tij.
Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë fragmente nga ditari për Luftën e Kosovës, “Ra ky mort e u pamë”, si edhe vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ekspozita “Dorëshkrimet e Kadaresë” e pati premierën më 14 nëntor 2024 në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë.
Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshjeje me familjen Kadare.



