
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit çeli “Tetorin e librit”, një muaj ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka libri për një shoqëri e një kohë më të mirë.
Motoja e këtij tetori është “Libri afron botën”.
Ndërkohë QKLL, përmes aktiviteteve që do të shoqërojnë këtë “Tetor Libri”, do të përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes “Cili duhet të jetë roli i librit, i shkrimtarit sot?
Përgjatë gjithë vitit 2022, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka vijuar fushatën e saj të leximit në çdo hapësirë të Shqipërisë, jo vetëm përmes aktiviteteve, por dhe përmes takimeve me botues, autorë, përkthyes, librarë, ekspertë të arsimit, për të konfiguruar të gjitha problematikat dhe diskutuar mbi mënyrën sesi mund të përshfaqen ato në ndryshime ligjore, që do të bënin të mundur më shumë libra në bibliotekat tona, më shumë letërsi e autorë shqiptarë dhe një përdorim më të pastër të gjuhës shqipe.
Sot ndërkaq në kuadër të “Tetorit të librit”, do të mbahen një sërë aktivitetesh:
Ceremonia e Çeljes së Festivalit Ndërkombëtar të të Rinjve "Tirana Gate 2022", Muzeu Historik Kombëtar, ora 10:30.
Aktivitetet e Festivalit mund t'i ndiqni sipas kalendarit të aktiviteteve për datën 5 tetor 2022.
Lexojmë për Ukrainën, Tetori i Librit "Libri Afron Botën", në mjediset Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri, ora 19:00.
Ky muaj përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjeni, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës, të cilët përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë sonë letrare dhe lexuesve të rinj.



