
Shkrimtari nga Kosova Gëzim Aliu është vlerësuar me Çmimin Mbarëkombëtar “Jakov Xoxa” në letërsi.
Në Qendrën “Sotir Kolea” u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimit, nën moderimin e aktorit Mevlan Shanaj.
Mbrëmja nisi me një moment nderimi për akademikun Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, duke vlerësuar kontributin e tij si anëtar i jurisë së këtij çmimi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi i çmimit dhe djali i Jakov Xoxës, Agron Xoxa, shprehu mirënjohje për të pranishmit dhe institucionet që mbështesin këtë nismë, si Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe për bordin, jurinë dhe organizatorët e ceremonisë.
Në aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse edhe drejtoresha e QKLL-së, Arta Marku, akad. Ali Aliu, shkrimtarja Diana Çuli, si dhe botuesit Abdullah dhe Edon Zeneli.
Arta Marku theksoi se Çmimi “Jakov Xoxa” përfaqëson një urë të rëndësishme kulturore, e mbështetur nga figura të njohura të jurisë, duke vlerësuar gjithashtu trashëgiminë letrare të Jakov Xoxës, nga përmasa mbarëkombëtare e veprës së tij, te pasuria gjuhësore dhe analiza e thellë psikologjike e personazheve.
Gjatë mbrëmjes, aktorët Vasjan Lami dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të zgjedhura nga veprat e pesë finalistëve.
Ky çmim letrar është një nismë e pasardhësve të shkrimtarit të njohur Jakov Xoxa dhe mbështetet nga personalitete të botës akademike dhe letrare.



