
Java e fundit e muajit shtator, shënon edhe fillimin e “European Heritage Days”, Ditët Europiane të Trashëgimisë, e cila kulmon me “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, më 29 shtator.
Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.
Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore, ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apollonisë nga vjedhja.
Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.
Në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i ushtarakëve: Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë, në vitin 1916, gjatë luftës së I -rë botërore.
Festimet për herë të parë, të datës 29 shtator, si Dita Kombëtare e trashëgimisë kulturore në Shqipëri u bënë në vitin 2003.



