
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka restauruar filmin “Koncert në vitin 1936”.
Me këtë rast kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga filmi i restauruar mjeshtërisht i cili tanimë sjellë tek publiku një pasuri të shtuar dhe të shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare.
Dhe me njoftimin e shpëtimit nga çngjyrosja pa kthim e filmit "Koncert në vitin 1936", me regji të Saimir Kumbaros e skenar të Kiço Blushit, tanimë i restauruar mjeshtërisht duke e bërë të pavdekshme lojën mbresëlënëse të Robert Ndrenikës, Mirush Kabashit, Margarita Xhepës e me radhë, ju uroj një ditë të mbarë.
Restaurimi është bërë nga ekipi i specialistëve të restaurimit digjital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”.
Në përfundim të projektit të restaurimit digjital, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon 3 shfaqje publike për premierën e filmit të restauruar Koncert në vitin 1936 (Saimir Kumbaro, 1978).
Premierë në Tiranë, në sallën KINOJonë të AQSHF-së dhe në Libohovë, në vendin ku është xhiruar filmi.
Me praninë e aktorëve të filmit: Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Manushaqe Qinami, Mirush Kabashi, Birçe Hasko, Gëzim Kame.
Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978, me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të shkruar nga Kiço Blushi, bazuar mbi tregimet e novelës së Dhimitër S. Shuteriqit.



