
Më 30 janar 1926 është lindur kompozitori dhe muzikanti shqiptar, Tish Daija.
Ai u lind në Shkodër nga një familje artizanësh. Ende pa hyrë në shkollë bëhet pjesëtar i korit françeskan. Në moshën 10-vjeçare merr pjesë në bandën muzikore “Antoniane” të drejtuar nga Prenkë Jakova dhe filloi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera.
Në moshën 13-vjeçare ai krijoi këngët e tij të para si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, ‘’Sylarushe”, këngë të cilat ende sot janë mjaft popullore dhe këndohen nga këngëtarë të ndryshëm.
Në vitin 1946 pasi mbaron studimet, emërohet mësues muzike në Vlorë. Në vitin 1956 diplomohet si kompozitor.
Ai ishte autori i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik.
Në vitin 1962 emërohet në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore ku organizoi një sërë koncertesh brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.
Për gjithë veprimtarinë, kontributin dhe punën e palodhur që dha për muzikën shqiptare, ai u nderua me dekoratën e lartë “Nder i Kombit”.
Ndërroi jetë më 3 tetor 2003.



