
Gjirokastra ka kremtuar 20-vjetorin e përfshirjes në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me një sërë aktivitetesh kulturore, që kulmuan me një event të veçantë në kalanë historike të qytetit.
Një nga momentet më të veçanta të festimeve ishte performanca e baletit “Cantata”, një nga kryeveprat e koreografit italian Mauro Bigonzetti, i cili erdhi pikërisht në skenën e kalasë në këtë përvjetor të rëndësishëm. Me muzikën e grupit “Assurd”, kjo vepër ofroi një festë ndjenjash dhe lidhjesh njerëzore që përcillnin emocionet e pasura të kulturës dhe trashëgimisë.
Aktivitetet e organizuara filluan me një ekspozitë kushtuar qytetit, prezantime të kostumeve etnografike dhe interpretime të isopolifonisë, një nga format më të veçanta të trashëgimisë muzikore shqiptare, e cila gjithashtu është mbrojtur nga UNESCO.
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e qytetit, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të pasura kulturore të Gjirokastrës.
Në këtë ngjarje mori pjesë gjithashtu edhe ambasadori italian në Shqipëri, Marco Alberti, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe rolit të UNESCO-s në mbrojtjen e këtyre pasurive.
Gjirokastra u bë pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, dhe që nga ajo kohë ka qenë një nga destinacionet më të vizituara kulturore dhe historike në Shqipëri.
I konsideruar si një qytet që ruan traditat kulturore të jetës që ka lulëzuar gjatë shekujve XIV-XV, Gjirokastra dallon për tipin e shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, që është në harmoni të plotë me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet.



