Nga Elvin Nuri
Ditët e fundit ashtu si i ka hije një grupi muzikantësh "bio" gjermanë, pa lënë shumë gjurmë dhe pa bërë shumë zhurmë nëpër mediat tradicionale, projekti i momentit në botën e muzikës elektronike, Moderat publikoi albumin III. Ndoshta sepse në këtë rast alternativa "zhurmë" duhet\është lënë mënjanë nga vetë kritika dhe nga ato njolla ndjekësish të muzikës elektronike (kujdes jo fansa dhe gjahtarë eventesh) në hartën e rruzullit, që e prisnin me padurim këtë album të tretë të Moderat.
Me 1 prill, përtej shakave pa kripë që shumë prej nesh duhet të duronim dhe në prag të një skandali financiar me përmasa globale, produkti më i fundit i Moderat ishte gjeja më e pabesueshme, jo vetëm e ditës, por besoj e gjithë vitit (së industrisë të muzikës elektronike): Më në fund kjo tiro muzikantësh me rezidencë në Berlin, pas mbi një dekade bashkëpunimi, ka arritur harmoninë që aq shumë është akuzuar se i mungonte.
Moderat, si projekt, është bashkim forcash mes dyshes të Modeselektor (Gernot Bronsert dhe Sebastian Szary) dhe Sascha Ring aka Apparat. Të tre muzikantët, në një sërë prononcimesh për mediat e fushës, janë shprehur se këtë rradhë bëhet fjalë për diçka ndryshe, speciale. Në fakt duket qartazi se ndryshimi ka ardhur falë përshtatjes më së miri të vokalit dhe tendencave ambient të Sascha Ring me ritmin marramendës dhe "agresiv" të dancefloor-it underground që përfaqëson dyshja Modeselektor. Ndryshe nga albumi i mëparshëm II, ku kontrasti mes dy mendësive kreative edhe pse qendronte më së miri përsëri ndihej, tek III, Moderat tregojnë se kanë konsoliduar origjinalitetin e tyre dhe po prodhojnë përtej përplasjeve në stil. Moderat po ben muzikë si Moderat.
Një album me 9 pjesë, III nis me "Eating Hooks" ku loja me basin të kujton James Blake në momentin e tij më të mirë, por vokali i ëmbël i Ring dhe ritmi i gjetur që e shoqëron të çon në një dimension krejt tjetër. Mes pjesëve përbërse të III doja të veçoja "Running" dhe "The Fool": "Running" do të bënte xheloz dhe DJ-in më "cool të momentit", jo vetëm sepse është super e kërcyeshme por edhe pse mund të bashkjetosh me këtë pjesë, mund të bësh praktikisht gjithçka; "The Fool", besoj, ngjason më shumë si një metaforë e rrugëtimit stilistik, me fund ngadhnjimtar (pas 13 viteve), të vetë Moderat, dhe dëgjuesit nuk i lihet alternativë tjetër veçse të zhytet në vargje melankolike, në një vijë melodike gati-gati meditimi dhe me një dëshirë të fortë për të kërcyer (kudo që të ndodhet). Nga ana tjetër, përveçse "Reminder", që si kryevepër e denjë për rolin që iu dha si paraprijës,rreth dy muaj nga publikimi i albumit, tek III "Ghostmother" të mposht me delikatesë dhe elegancë, "Animal Trails" është një enciklopedi e beat-eve, vibrimeve dhe tonaliteteve të larta që mund t'i lejojë vetes kjo bandë, gjithmonë në një harmoni epike. "Animal Trails" të mban praktikish pezull.
Për hir të së vërtetës veteranë gjithpërfshirës të kritikës muzikore online si Pitchfork apo Ondarock e kanë pritur pak si ashpër këtë album të tretë, duke e lidhur me tinguj të dëgjuar mëparë apo me ndjesi sipërfaqësore. Por nëse tremb kaq shumë kjo "tendencë drejt Pop-it" apo nëse Moderat po luan më shumë techno apo ambient, pak rëndësi ka, të sigurt duhet të jemi që mijëvjeçari i tretë po tregohet bujar me muzikën elektronike, me muzikën në përgjithësi. Moderat me III duket se ka mbyllur një cikël të gjatë maturimi dhe ndoshta jo shumë vonë ajo kategori njerëzish që e sheh muzikën si katalizator ndryshimi (duke nisur nga kualiteti i jetës së përditshme) do të pasurohet sërish me një perlë. Gjithçka tjetër i përket shijeve.
Më poshtë “The Fool” nga Moderat



