
Nesër në Tiranë, rikthehet pas një viti mungesë për shkak të pandemisë, panairi i 24-t i librit “Tirana 2021”.
Kjo ngjarje kulturore bën bashkë botues, shkrimtarë, përkthyes dhe të pasionuarit pas librit, në datat 17 -21 nëntor, në Pallatin e Kongreseve.
Tirana është qyteti mikpritës, që përgjatë pesë ditëve, frekuentohet nga botues kombëtarë, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
95 botues do të zënë vend në stendat e librit pranë Pallatit të Kongreseve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Me qëllim inkurajimin e botimeve të reja të vitit 2021, por edhe të mëparshmet, Shoqata e Botuesve shqiptar, jep ndihmesën e saj të vyer për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare.
Kryetari i Shoqatës së Botuese, Petrit Ymeri, tregon rrjedhën që do të mbaj panairi i sivjetmë.
“Ky është një lajm i mirë. Edhe Tirana ka nevojë për këtë gjallëri që i jep panairi i librit. Një sallë ovale që kemi aty është e mbushur me aktivitete nga dita e parë në ditën e fundit. Ka shumë aktivitete që bëhen nëpër stenda. Kemi një tryezë diskutimi për problemet e përkthimit. Ditë e shtunë si zakonisht do të japim çmimet e panairit të librit. Ka disa javë që juria po punon për të zgjedhur çmimet që do të jepen.
Këtë vit ky panair përveç titujve të ri për lexuesit do sjellë takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi, workshope, seminare etj.
Panairi i 24-t i librit këtë vit organizohet me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.
Librat e panairit, sipas organizatorëve, mund të gjenden edhe ne aplikacionin online Panair Shopping.
Ndryshe nga herët e tjera ky panair do të organizohet duke respektuar masat anti-COVID.



