
Baleti “La Sylphide” solli mbrëmë një shfaqje të jashtëzakonshme, duke dhuruar publikut një kryevepër të repertorit klasik botëror.
Ky balet u vu në skenë nga trupat e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, me koreografi të August Bournonville, muzikë nga Herman Severin Løvenskiold, dhe u luajt nga Orkestra Simfonike e TKOB-AP-së nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja.
Në këtë shfaqje publiku udhëtoi drejt Skocisë së vitit 1836, në një atmosferë të mbushur me mjegull dhe mister, ku dashuria dhe ëndrra vallëzojnë në kufijtë e realitetit dhe të imagjinatës.
Historia e “La Sylphide” është një nga baletet më magjike të epokës romantike, në mëngjesin e ditës së martesës së tij, James, i rrëmbyer mes realitetit dhe ëndrrës, zgjohet nga një puthje e lehtë, Sylphide, një krijesë ajri, e thërret drejt botës së saj të padukshme.
Ai përpiqet ta harrojë, por fryma e saj e ndjek kudo. Një shtrigë e vjetër, Madge, i profetizon të fejuarës së tij Effie-së se do të martohet me kushëririn Gurn, jo me James-in.
I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, James ndjek Sylphide-n në pyllin e saj magjik. Duke u përpjekur për ta mbajtur pranë, ai bie pre e mashtrimit të shtrigës.
Shfaqja është prezantuar mbrëmë dhe vjen për publikun edhe sonte nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.



