Shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood tha se përkeqësimi i të drejtave të grave në disa vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, bëri që ajo të shkruante një vazhdim të romanit të saj më të shitur të vitit 1985 “Rrëfenja e Shërbëtores”.
Romani, i cili u bë serial televiziv dhe fitoi disa çmime në vitin 2017, paraqet një të ardhme totalitare në shtetin futurist të Gileadit, ku ato pak gra pjellore që kanë mbetur detyrohen të punojnë seksualisht si "shërbyese" për të ripopulluar një botë që po përballet me katastrofën mjedisore.
"Për vite me radhë njerëzit pyesnin nëse do të kishte një vazhdim, ju lutemi shkruani një vazhdim, na tregoni se çfarë ndodhi dhe unë gjithmonë thosha se nuk mund ta bëj. Por që atëherë ndodhi nja dy gjëra. Në vend që të largoheshim nga Gileadi, siç mendova se do të ndodhte në vitet 1990 e më tej, ne filluam të shkonim drejt Gileadit në një numër vendesh të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara", u shpreh Atwood në një intervistë për BBC.
Lëvizjet e fundit për të kufizuar hyrjen në abort në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar një ndarje të madhe të aktivistëvë të të të drejtave të grave.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili u zgjodh në vitin 2016, ka thënë se i kundërshton abortet në shumicën e rasteve dhe ai e mbështetësit e tij republikanë janë dakord me përpjekjet për kufizimin e tyre.
Shumë mjekë dhe grupe për të drejtat e njeriut po i luftojnë këto përpjekje për faktin se janë të dëmshme për shëndetin e grave dhe shkelin një të drejtë kushtetuese për abort.
Atwood tha që ajo tashmë filloi ta konceptonte një vazhdim të "Rrëfenjës së Shërbëtores" që kur u zgjodh Trump. Në atë kohë, seriali televiziv i bazuar në romanin e saj ishte duke u filmuar.
Seriali ndihmoi që romani origjinal të hynte në listën e librave më të shitur dhe uniforma e shërbëtores, një mantel i gjatë, i kuq i errët dhe një mbulesë koke e madhe e bardhë, u bë një simbol i protestës dhe rezistencës femërore.
E pyetur gjatë promovimit të romanit të saj të ri “Testamentet”, nëse e shqetësonte kjo zhurmë e madhe për veprën e saj të re, Atëood ndër të tjera tha: "… duhet theksuar se është vetëm një libër, nuk është ndryshim i regjimit, nuk është diçka që do të ndikojë fizikisht në jetën e shumë njerëzve, nuk është trazira në Moskë". /Reuters/



