
Jeta dhe karriera artistike e aktores së madhe Tinka Kurti vjen i jetësuar në një libër të autores Anila Mema.
“Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” titullohet libri, i promovuar në një ceremoni ku ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, aktorët Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Luftar Paja, etj.
Ministrja e Kulturës Margariti, vlerësoi lartë këtë libër që brenda vetes ka kaq shumë histori, dashuri, pasion, ndjesi personale.
“Tinka ia doli sërish jo vetëm të na mblidhte, por edhe të krijonte një atmosferë aq miqësore e të ngrohtë, sa vetëm një shkodrane plot humor si ajo mundet. E nderuar të merrja pjesë në promovimin e librit “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema, mbështetur plot dashuri e asnjë ngurrim nga Ministria e Kulturës. Një guidë për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit, për të gjithë ne adhuruesit e aktores, por edhe ndjekësit e kinematografisë, që janë rritur me rolet e së madhes, Zonjës Tinka Kurti dhe një plejade të tërë aktorësh të pakohë, të pamoshë. Një gjest guximtar, të ndash kaq shumë nga vetja”, tha Margariti.
Ministria e Kulturës, i ndau një dhuratë specifike simbol për karrierën e saj artistike.
“E fortë si një shkëmb dhe rrezatuese si një yll, Tinka Kurti është një nga Zonjat e rralla shqiptare, që përmes talentit dhe pasionit na ndriçoi ditët edhe në kohërat më të errëta të diktaturës.
Asgjë më mirë se kjo metaforë e gurit mbi pasqyrë nuk përfaqëson karakterin e fortë të kësaj gruaje dhe dritën që ka shpërndarë në dekada, me të vetmin shpërblim: duartrokitjet.
Mirënjohje!
Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit.
Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Ajo është e nderuar me medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.



