Nxënësi Franko Kasemi, 11-vjeçari i talentuar në violinë, ishte i ftuar në emisionin ‘Zgjohu me MCN’, ku ndau me publikun pasionin e tij për muzikën dhe rrugëtimin e nisur që në moshë të vogël.
Fitues i disa çmimeve në violinë, Franko po ngjit me vendosmëri shkallët e suksesit. Ai performoi edhe live në studio, duke treguar aftësitë e tij dhe përkushtimin ndaj instrumentit.
Kam fituar 3 çmime, ‘silver’ është medalja e performancës, ndërsa ‘golden’ ato që kam fituar. Çmimin e parë e kam marrë kur kam qenë 9 vjeç.
Kur isha i vogël shihja filmin vizatimor Masha dhe Ariu dhe kam dëgjuar ariun që i binte muzikës në piano dhe aty më pëlqeu shumë. Nuk munda të kisha një piano dhe iu futa rrugës së violinës dhe më pëlqen.
M’u deshën vetëm 6 muaj për ta mësuar këtë instrument. Më pëlqen më shumë muzika klasike dhe kompozitori im i preferuar është Niccolò Paganini.
Kur të rritem e shoh veten jashtë shtetit në orkestra të mëdha, gjithmonë me mbështetjen e prindërve të mi. Në korrik jam në Romë për një konkurs.



