
134 vjet më parë, më 1 maj 1889, u hap shkolla e parë shqipe në Prizren.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka sjell sot në vëmendje aktivitetin e gjuhëtarit, historianit dhe arsimtarit të përkushtuar, Mati Logoreci, i cili ndërmori nismën për hapjen e kësaj shkolle, të quajtur ndryshe si shkolla shqipe e djemve.
Në cilësinë e mësuesit, Logoreci do të edukonte brezat e rinj në Kosovë, duke dhënë një kontribut të pamohueshëm në përparimin e mësimdhënies.
E çelur vetëm dy vite pas Mësonjëtores së Korçës, shkolla e Prizrenit shënoi një hap vendimtar në ecurinë e arsimit në shqip. Tri vite më pas, në vitin 1892, në Prizren u hap edhe shkolla shqipe e vajzave.
DPA postoi dekretin mbi dhënien e titullit “Mësues i Popullit” Logorecit me rastin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, si edhe propozimin e Universitetit të Tiranës mbi dekorimin e tij me "Urdhërin e Lirisë" së klasit të V-të.





