180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit/ Rama: Shqipëria 2030 do të kurorëzohet si ‘Viti Evropian i Naimit’

180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit/ Rama: Shqipëria 2030 do të kurorëzohet si ‘Viti Evropian i Naimit’

Më 25 maj të vitit 1846, në Frashër të Dangëllisë, lindi Naim Frashëri, poet, historian, gazetar, përkthyes dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar dhe kulturës shqiptare.

 

Ai ishte ndër shkrimtarët dhe aktivistët kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

 

Në nder të 180-vjetorit të lindjes së poetit rilindas, kryeministri Edi Rama e ka kujtuar sot figurën e Naim Frashërit, duke e lidhur atë me rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se “është një mister i gëzueshëm që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt ‘Diellit që lind andej nga perëndon’”.

 

“Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj ‘Shqipëribërësin’ e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin dhe shtetin tonë”, shprehet Rama.

 

Kryeministri thekson më tej se, “me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit, Shqipëria 2030 do ta kurorëzojë vitin e 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e ‘Diellit që lind andej nga perëndon’”.

 

Veprat e Naim Frashërit dallohen për gjuhën e pastër, ndjenjën njerëzore dhe frymën atdhetare që përcjellin. “Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar” mbetet edhe sot një nga thirrjet më të fuqishme të dashurisë për vendin.

 

Naim Frashëri u nda nga jeta më 20 tetor 1900 dhe mbetet një dritë e pashuar në historinë dhe shpirtin shqiptar.

 

Në përkujtim të 180-vjetorit të lindjes së tij, edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë më 26 maj veprimtarinë jubilare me temë: “Naim Frashëri në 180-vjetorin e lindjes”, organizuar nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.

 

Kjo veprimtari synon të sjellë në vëmendje figurën dhe veprën e Naim Frashërit, një prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy