
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ka pranuar këto ditë mbi 1100 tituj librash, dhuratë, lënë në testament nga studiuesi dhe albanologu kroat Aleksandar Stipçeviç .
Katër vjet pas vdekjes së Stipçeviç, Akademia e Shkencave i ka marrë në dorëzim të gjithë këto tituj, kryesisht studime ilire dhe arkeologjike të studiuesit të madh kroat, me prejardhje arbëreshe.
Librat, mësohet se i janë dorëzuar tashmë institucionit të lartë shkencor në vend, dhe po punohet në sistemimin dhe organizimin e materialeve, të cilat së shpejti, do të bëhen të ditura për median dhe publikun.
Akademia e Shkencave, shpreh entuziazmin e saj që Stipçeviç në testamentin e tij ka përfshirë edhe ASH, duke zgjedhur që t’ia dhurojë shtetit shqiptar të gjitha studimet albanologjike.
Duke marrë shkas nga gjithë pasuri e përfituar, të njëjtën kanë hedhur idenë e krijimit të bibliotekës me emrin “Aleksandër Stipçeviç”.
Studiusi Stipçeviç ka dhuruar një nga veprat më të ralla, koleksionin e tij të plotë të “Illyricum Sacrum”, si dhe studimet e tij për ilirët dhe protolilirët.
Në veprën e tij, Aleksandër Stipçeviç ka trajtuar dhe evidentuar praninë e elementit ilir në gjithë Ballkanin. Kontributi më i madh i tij është puna që ka bërë për studimin e veprës “Illyricum Sacrum”, një enciklopedi me 5500 faqe, ku flitet për historinë e ilirëve. Ai ka mbështetur gjatë gjithë kohës tezën se ilirët janë autoktonë në trojet e Ballkanit Perëndimor.
Arkeologjia është një drejtim tjetër ku veprimtaria shkencore e Profesor Stipçeviçit mbetet e spikatur dhe e rëndësishme, duke dhënë një kontribut unik shkencor në fushën e ilirologjisë.



