
Ky vit ka qenë një lloj fitoreje për "The Sopranos" (1999-2007), dramën e HBO-së mbi jetën e bosit mafioz të Nju-Xhersit Tony Soprano, interpretuar nga aktori i ndjerë James Gandolfini. Festimi i 20-vjetorit të shfaqjes ka risjellë në kujtesë pjesë të panumërta dhe ka nxitur rivlerësimin mbi ndikimin e pashlyeshëm të shfaqjes në kulturën pop në television dhe më gjerë.
Kritikët dhe adhuruesit kanë diskutuar gjerësisht për përdorimin antiheronjve, të psikologjisë dhe ëndrrave në shfaqje. “The Sopranos” u bë një metaforë e mafies dhe një kritikë për kulturën amerikane në fillim të këtij mijëvjeçari të ri. Por, në një shikim të vëmendshëm të të gjitha serive të serialit të HBO-së mund të vërehet se si në mënyrën më të habitshme arti pamor ka një rol integral në zhvillimin e shfaqjes. Është e qartë që “The Sopranos” e ka përdorur në mënyrë periodike artin si një mjet zbulues për personazhet, një mënyrë që në thelb zhvillon linjat e karakterit të tyre.
Seriali "përdor vepra artistike për të hapur këtë lloj kanali psikologjik brenda karaktereve të personazheve”, duke i drejtuar drejt një vendi të ri, ku ata nuk do të kishin shkuar dot në mënyrë tjetër", shprehet Hannibal Deiz, i cili në "The Sopranos Show”, bëri një analizë të shfaqjes bashkë me Gavin Bowen.
Në episodin pilot, patriarku i familjes Toni ulet në dhomën e pritjes të psikiatres së tij të re, Dr. Melfi (luajtur nga Lorraine Bracco), pasi ka pësuar atakun e parë të panikut. Teksa Toni po pret, ai shikon skulpturën e një gruaje të zhveshur. Kamera ndërpritet midis shikimit të ngurtë të statujës dhe fytyrës së hutuar të Tonit, teksa buzët e tij tregojnë njëkohësisht konfuzion dhe magjepsje.
Gjatë seancës, Toni thotë: "Kohët e fundit kam ndjesinë se kam arritur fundin.” Melfi i përgjigjet: "Sipas meje, shumë amerikanë mendojnë në të njëjtën mënyrë". Takimi i tyre përcakton tonin për të gjitha seritë - shfaqja nuk tregon vetëm për dhunën mafioze, por edhe për shpërbërjen, familjen dhe, ndoshta më shumë se çdo gjë, për ndikimin e grave në jetën e Tonit.
Çdo grua në jetën e Tonit paraqet një lloj arketipi të ndryshëm: nëna e tij, Livia (Nancy Marchand); gruaja e tij, Carmela (Edie Falco); vajza e tij, Livada (Jamie Lynn-Sigler); dashnoret e tij të shumta; dhe Dr. Melfi vetë. Toni sillet ndryshe pranë secilës prej tyre. Ndërkohë kritikët e televizionit Alan Sepinwall dhe Matthew Zoller Seitz shkruajnë në librin e tyre "The Sopranos Sessions" (2019) se: "Toni ndryshon nga i sjellshëm dhe mbrojtës, në i çrregullt, posedues dhe mizor, varësisht nga gruaja".
Siç vunë në dukje Sepinwall dhe Seitz, skulptura është aty për të nënkuptuar dominimin dhe nënën e Tonit. Livia është dominuese dhe manipuluese. Ndikimi i saj ndaj Tonit është i dukshëm gjatë gjithë serisë. Statuja është një simbol i fuqisë së saj. Si një vepër arti, ajo gjithashtu shërben si një kujtesë se mund të ketë bukuri të qëndrueshme në një botë që Toni e sheh si të rrënuar, një botë ku më e mira ka mbaruar.
Në episodin "Mohimi, Zemërimi, Pranimi", Toni ngulitet në një pikturë të një parku të kuq në zyrën e Dr. Melfit. Ai e pyet nëse është një "pikturë truku", si një "core-shack test" (një keqshqiptim i testit Rorschach). Por Dr. Melfi e merr seriozisht; ajo dëshiron të dijë se çfarë i thotë piktura Tonit. Toni u përgjigj: “Thuhet, hej shkërdhatë, ne jemi nga Harvardi dhe çfarë mendoni për këtë park të frikshëm depresiv dhe këtë pemë të rrënuar që kemi vënë këtu”. Piktura provokon Tonin dhe e lejon atë të shpehë ndjenjat e tij të inferioritetit: Në botë ka gjëra jashtë kompetencës së tij dhe përtej mundësive të tij të të kuptuarit. Dr. Melfi sheh një lidhje midis interpretimit të Tonit dhe jetës së tij personale. Pema nuk është e rrënuar - Toni po projekton në të ndjenjat e pikëllimit për faktin se shoku i tij dhe shefi i familjes së Nju-Xhersit, Jackie Aprile po vdes ngadalë nga kanceri.

Më vonë, Toni hutohet nga një tjetër pikturë mbi shtratin e dashnores së tij, një pishinë e ndritshme me ngjyrë të theksuar. Kur Toni i pyet atë se çfarë sheh në pikturë, ajo thotë, asgjë, por i kujton David Hockey (një keqshqiptim për David Hockney). Edhe sikur Toni të mos marrë të njëjtën përgjigje me kuptim, siç Dr. Melfi nga ai vetë, arti ofron një mjet për të kërkuar diçka më të thellë. "Këto nivele të hollësive e bëjnë të veçantë “The Sopranos” nga shfaqjet e tjera televizive", tha Bowen.

Jusepe de Ribera, “The Holy Family with Saints Anne and Catherine of Alexandria”, 1648
Komisionimi i një vepre arti në “The Sopranos” bëhet pikë kyçe e konfliktit për disa seri dhe mënyrë thelbësore për zhvillimin karakterit të Tonit. Në sezonin e katërt, Toni merr kontrollin e pistës së vrapimit për kuaj “Pie-O-My” nga kapiteni i saj Ralph Cifaretto (Joe Pantoliano), me të cilin ai ka armiqësi prej kohësh. Në episodin "Bashkimet dhe blerjet", Ralfi e prezanton Tonin me të dashurën e tij të re, agjenten e shitjeve për vepra artistike, Valentina la Paz (Leslie Bega). Toni intrigohet nga bukuria e saj dhe i drejtohet asaj për të vlerësuar një pikturë të tijën dhe “Pie-O-My” në vend të artistit të specializuar për kuaj. Toni përjashton Ralfin nga piktura, duke e çuar armiqësinë e tyre në kulmin e saj.

Piktura kthehet në një moment kyç në seri. Pas kali vritet në fund të sezonit të katërt në një zjarr që nisi prej përshkallëzimit të konfliktit mes Ralfit dhe Tonit, Toni thellësisht i trazuar jep urdhër që ajo të digjet. Në vend të kësaj, anëtari i bandës së tij Paulie Walnuts (Tony Sirico) e injoron urdhrin dhe e restauron pikturën, e cila tahmë tregon Tonin si një gjenerali napoleonik.
Kur Toni e sheh pikturën në apartamentin e Paulit në episodin e sezonit të pestë "Me Gjithë Respektin e Duhur", ai zemërohet, duke e hequr atë nga muri dhe duke e hedhur në një kosh. Por pastaj ai ndalon, lidhet me imazhin e tij si një gjeneral: brezin e tij, millin e tij, dhe shpatën e tij. Toni e kupton se ekuipazhi i tij e sheh si udhëheqës. Në skenën e ardhshme, Toni ndërmerr veprime: Ai qëllon një anëtar të ngushtë të familjes, duke sjellë një konflikt tjetër të gjatë e të përgjakshëm për gjithë sezonin.
Toni nuk është karakteri i vetëm që ka pikëtakime të rëndësishme me veprat e artit. Carmela gjithashtu përballet me konfliktin e brendshëm në praninë e artit. Në episodin "Amour Fou" të sezonit të tretë ajo e gjen veten para pikturës së Jusepe de Ribera “Familja e Shenjtë me shenjtorët Anne dhe Katerina e Aleksandrisë (1648)”, teksa vizitoi Muzeun Metropolitan të Artit me Meadow. Karmela ndihet keq - ajo ose ka kancer ovarian ose është shtatzënë. Gjatë gjithë sezonit, ajo ka luftuar për ta lënë Tonin, por nuk dëshiron të humbë jetën apo të tradhtojë besimin e saj katolik. Karmelën e godet qetësia e pikturës dhe qan. "Piktura e shqetëson atë, sepse ajo e di se nuk është e pafajshme, edhe pse do të donte shumë që të ishte. Ajo e di se është e dëmtuar dhe e korruptuar nga biznesi i Toni dhe po kështu janë edhe fëmijët e saj - dhe se kjo po e shkatërron të gjithën. Megjithatë, gjatë episodit, ajo vendos që të qëndrojë në martesën e saj", thotë Deiz.
Pranë fundit të serisë, në episodin "Gurë të Ftohtë", Karmela ka ngecur në një vepër të famshme përsëri, këtë herë në një udhëtim në Paris me shoqen e saj Rosalie Aprile. Ato shkojnë për t’iu larguar mondanitetit të jetës së përditshme, por Karmela ende shqetësohet për gjërat në shtëpi, kryesisht për zhdukjen e një shoku të ngushtë familjar, vrasja e të cilit nuk i është treguar asaj me urdhër të Tonit. Në urën “Pont Alexandre III”, Carmela vështron një nga statujat duke admiruar harqet. "Kush mund ta ketë ndërtuar këtë?" pyet ajo, e habitur. Më vonë, në “Thermes de Cluny”, i gjithë arti, kultura dhe historia e Parisit peshojnë mbi të dhe ajo fillon të qajë. "Ne shqetësohemi aq shumë, por në fund gjithçka zhduket tutje", thotë ajo.
Karmela e kupton se sa e vogël është jeta e saj në lumin e pandërprerë të kohës, por është një jetë prej së cilës ajo vetë nuk mund të arratiset. Asnjë nga personazhet nuk mund të shpëtojë nga bota ku është, e cila çon vetëm në vdekje dhe mjerim. Veprat e artit lejojnë karaktere të caktuara, vetëm për një çast, të përballen me realitetin e tyre të zymtë, për të parë një mënyrë që ndoshta të ngrihen mbi të. Megjithatë, në fund, asnjë prej tyre nuk mundet. /Matt Domino për Artsy. Përgatiti Erina Çoku/



