Në kuadër të 80-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, sot në Qendrën Kulturore të Kishës Ortodokse në Tiranë do të zhvillohet koncerti festiv “Better Together”, një ngjarje që synon të sjellë një atmosferë reflektimi, arti dhe mesazhi ndërkombëtar.
Ky aktivitet është pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe do të bashkojë artistë shqiptarë e të huaj në një program shumëdimensional me muzikë, poezi dhe performanca të fjalës së lirë, kushtuar vlerave universale të paqes, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit global.
Koncerti do të përfshijë interpretime nga autorë të njohur ndërkombëtarë si Bob Dylan, Edgar Albert Guest dhe John Lennon, të ndërthurura me elementë të muzikës tradicionale shqiptare dhe krijimeve të artistëve të rinj. Kjo ndërthurje do të sjellë në skenë një udhëtim artistik unik që tejkalon gjuhët dhe kufijtë.
Me pesë temat qendrore si Paqja dhe Jo Dhuna, Të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësia, Dinjiteti dhe Barazia, Solidariteti Global dhe Shpresa për Gjeneratat e Ardhshme, “Better Together” vjen si një ftesë për reflektim dhe bashkëpunim, në frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe vizionit të saj për një botë më të bashkuar.



