150 mësues jo vetëm nga Evropa, por nga vende të ndryshme të botës, Britania e Madhe, Turqia, Greqia etj. janë mbledhur në Vlorë në seminarin treditor mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha dhe miq e kolegë vlerësojmë rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar tek brezat e rinj shqiptarë që po rriten përtej kufijve. Angazhohemi që përpjekjet dhe projektet tona të përbashkëta në përmbushje të këtij misioni do të vazhdojnë pa u ndalur, ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Në hapjen e këtij seminari u vlerësua rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar shqiptar për brezat e rinj shqiptarë që po rriten përtej kufijve. Ministrja Kushi ka bërë të ditur se në shtator, Qendra e Botimeve për Diasporën për herë të parë do të organizojë shkollën e parë verore për nxënësit dhe mësuesit e diasporës.



