
Presidenti Ilir Meta vlerësoi artistin e shquar të muzikës shqiptare, Milto Vako (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Dekorimi i muzikantit, dirigjentit dhe pedagogut të paharruar, u bë me motivacionin: “Në vlerësim të punës së përkushtuar si pedagog dhe kontributeve të çmuara në drejtimin me profesionalizëm për vite me radhe të Katedrës së Dirigjimit në Fakultetin e Muzikës. Me mirënjohje ndaj personalitetit të shquar, i cili me pasion e këmbëngulje përmbushi me sukses realizimin e shumë veprimtarive muzikore nën drejtimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, duke u vlerësuar jo vetëm nga artdashësit, por edhe duke merituar çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit e kulturës në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se “Profesor Milto Vako është një nga emrat e nderuar në artin shqiptar. Aktiviteti artistik i tij zgjati gjatë gjithë jetës së tij, deri në momentin e ndarjes nga jeta, vetëm rreth 1 muaj më parë. Aktiviteti artistik i dirigjentit të njohur nisi dekada më parë, kur i sapo kthyer nga Moska emërohet pranë Ansamblit Kombëtar, si udhëheqës artistik dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit”.
“Në vitin 62’, profesor Vako bashkë me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë dhe themeluan Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Si drejtues i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, profesor Vako arriti suksese, të cilat kanë mbetur në memorien e publikut edhe sot, ku do të veçoja fitimin e ‘Gjerdanit të Artë’ në Francë. Ndërkohë, si mjeshtër kori i Teatrit të Operas e Baletit përgatiti me profesionalizëm korin e TOB-it në vepra si ‘Mrika’, ‘Heroina’, ‘Skënderbeu’, etj”, – tha Meta.
Njëkohësisht, vijoi Meta, profesor Vako është autor i shumë përpunimeve e krijimeve origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese të shquara në fondin e literaturës klasike korale shqiptare.
Krue i shtetit u shpreh se “Profesor Vako vazhdoi të punojë edhe pas daljes në pension me dashuri e përkushtim, duke themeluar dhe drejtuar Koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Studentët i jepnin forcë dhe dëshirë për të jetuar jetën dhe njëkohësisht e bënin krenar për aktivitetin e tyre kudo nëpër botë. Arti, të cilit i kushtoi gjithë jetën, ishte pasioni i tij madh”.
Për gjithë kontributin e shquar si pedagog dhe personalitet i shquar i fushës së muzikës, Meta e vlerësoi Profesor Milto Vako me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Muzikanti dhe dirigjenti MIlto Vako u nda nga jeta më 10 nëntor të këtij viti.



