
Agjencia evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë, Europa Nostra ka reaguar pas vendimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta në lidhje me nisjen e një hetimi ndërkombëtar për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Me anë të një postimi në 'twitter', 'Europa Nostra' ka falënderuar Presidentin e Republikës për angazhimin e tij, ndërsa shprehet se trashëgimia kulturore është burim kryesor për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ne e përshëndesim angazhimin e fortë të Presidentit Ilir Meta për trashëgiminë kulturore si një burim kryesor për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ne gjithashtu e falënderojmë atë për njohjen e rolit kyç të shoqërisë civile për ndërtimin e shoqërive demokratike. Teatri Kombëtar është një simbol i këtyre vlerave!”, shkruan Europa Nostra.
Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta zhvilloi një bashkëbisedim me video-konferencë me përfaqësuesit e Europa Nostra, zv.presidentin ekzekutiv Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme Sneska Quaedvlieg-Michailovic dhe anëtarin e bordit Profesor Paolo Vitti. Sakaq, u bë me dije se Meta ka rënë dakord me Europa Nostran për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për shembjen e Teatrit dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.



