
Në kuadër të “Muajit të muzikës”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ia ka kushtuar sot ditën kantautorit të njohur, Kujtim Prodani.
“Kujtojmë sot mikun e të gjithëve, që si askush tjetër i këndoi Tiranës”, shprehet ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Kujtim Prodani u nda nga jeta një vit më parë, në moshën 57 vjeçare, si pasojë e infektimit me COVID. Ai ishte i biri i kompozitorit Agim Prodani, një prej themeluesve të muzikës së lehtë shqiptare dhe këngëtares po aq të njohur e të dashur nga publiku, Anita Take.
Disa muaj para se të ndërronte jetë, kantautori i kushtoi një këngë pikërisht virusit që i mori jetën.
Ai nuk shkroi vetëm muzikë për vete e këngëtarë të tjerë, por edhe muzikë filmash. “Ngjyrat e moshës”, “Unë e dua Erën” si dhe muzikën për 8 filma me metrazh të shkurtër.
Artisti që i këndoi Tiranës, nuk ndali asnjëherë së qeni i pranishëm në skenat e festivaleve si dhe në jetën artistike të kryeqytetit.



