Përgjatë muajit tetor-nëntor, dashamirësit e muzikës do të mund të ndjekin në Teatrin e Operës e Baletit, festivalin “E mërkura në jazz”.
Ky festival do të kthehet në një traditë për të gjithë adhuruesit e kësaj muzike, bëhet e ditur në faqen zyrtare të TOKB
Sipas tyre, në program janë parashikuar 9 koncerte, me një repertor të pasur, që nga muzika afrikano-amerikane, monografia e kompozitorit Thelonious Monk, jazz-i evropian, e deri te krijimtaritë e pabotuara nga studentë dhe mësues të Konservatorit të Potenzës, ku ndërthuret jazz-i me muzikën elektronike.
Koncerti i dytë i festivalit “E mërkura në Jazz” do të vijë sot me një repertor që përshkruan historinë dhe evolucionin e muzikës së kitarës, përmes gjuhës së kitaristëve që shënuan historinë.
Koncerti i sotëm titullohet “Jazz Guitar Master”.
Për adhuruesit e këtij zhanri muzikor sot vijnë Dino Plasmati në kitarë, Donatello Giambersio në piano, Stefano Risso kontrabas, dhe Igor Caiazza në bateri.
“E mërkura në jazz” është një bashkëpunim i mes Teatrit të Operës dhe Baletit e Konservatorit “Gesualdo da Venosa”, Potenza, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Ambasada Italiane, Instituti Italian i Kulturës, etj.



