
Java Kulturore Izraelite nisi mbrëmë në Teatrin e Kukullave, me një udhëtim magjik nëpër botën e teatrit pa fjalë, përmes shfaqjes “When All Was Green”.
Ky prodhim artistik, i krijuar nga Dikla Katz dhe Avi Zlicha, solli në skenë historinë e një djali dhe një peme që përballen me sfidat e një bote gjithnjë e më të betonizuar. Pa asnjë dialog verbal, por me një gjuhë të pasur ndjenjash dhe simbolesh, shfaqja rrëfeu fuqinë e lidhjes midis njeriut dhe natyrës, dhe qëndrueshmërinë e shpresës.
Përdorimi krijues i librave të vjetër, kopertinave të ricikluara dhe faqeve të zverdhura ndërtoi një univers të veçantë ku fëmijëria, kujtimet dhe natyra ndërthuren me realitetin e zymtë urban. “When All Was Green” emocionoi publikun e çdo moshe, duke dëshmuar se arti mund të flasë fuqishëm edhe në heshtje.
Pas shfaqjes, artistët ndanë me publikun prapaskenat e krijimit të veprës dhe iu përgjigjën pyetjeve të fëmijëve dhe të rriturve që e përjetuan historinë me emocion dhe kurreshtje.
Aktiviteti i radhës i Javës Kulturore Izraelite do të zhvillohet më 11 qershor te instalacioni “Reja”, ku do të performojë grupi legjendar i rock-ut izraelit, Orphaned Land.
Java do të përmbyllet më 12 qershor në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me baletin modern “I carry you hold”, një duet nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton, një reflektim i fuqishëm mbi emancipimin dhe harmoninë nëpërmjet lëvizjes dhe artit.



