
Leonard Cohen publikoi albumin e tij të fundit "You Want it darker" në tetor të vitit 2016, 19 ditë para se të vdiste. Djali i tij Adami ka përfunduar disa këngë të papërpunuara të regjistruara gjatë atyre seancave dhe nuk janë përdorur. "Thank you for the dance", albumi i ri pas vdekjes së muzikantit dhe poetit kanadez, do të dalë në treg të premten e ardhshme. Nëntë këngë me temë seksin, vdekjen, besimin, politikën, ekonominë, Krishtin dhe Karl Marksin. Ndër më elegantet, "Moving on", është një blatë për ish-të dashurën dhe muzën e tij Marianne Ihlen, Leonardi e regjistroi si pjesë vokale në fund të majit 2016, menjëherë pasi mësoi se Marianne kishte vdekur.
"Happens to the Heart", një tjetër këngë, e Cohen që ndjek traditën për të futur banalitetin e përditshëm në një moment romantik ("There was a mist of summer kisses/ Where I tried to double-park - Kishte një mjegull puthjesh vere/ Ku u përpoqa të parkoja dyfish"), ndërsa në sensualen "Night of Santiago” (Nata e Santiagos) frymëzuar nga Garcia Lorca një i moshuar që zbulon një pasion të lashtë. Ashtu si në "Blackstar" të David Bowie, që u publikua dy ditë para vdekjes së Dukës së Bardhë, Cohen ishte i vetëdijshëm se nuk i kishte mbetur shumë për të jetuar. Me Adamin, në javët e fundit, ai kishte biseduar për plotësimin e këngëve. Në atë pikë Leonard Cohen ishte me të vërtetë i sëmurë: një viktimë e leukemisë dhe e dhimbjeve kurrizore, vendimi që Adami të ishte producent i "You Want it darker" u mor pjesërisht që "të mos kishte të huaj në dhomë". Edhe pse në vuajtje dhe i kufizuar në një karrige me rrota, Leonard "shpesh gjente forcën për të veshur një kostum dhe një fedora".
Pas vdekjes së babait në moshën 82-vjeçare, Adami nuk ndihej gati për t’i dëgjuar këngët e papërfunduara. U deshën shtatë muaj për të gjetur "guximin" e nevojshëm për të hapur regjistrimet. /Ansa, përgatiti Erina Çoku/



