
Në mbarë botën shënohet sot Dita Ndërkombëtare e Muzeut, një ngjarje që synon të promovojë rolin e muzeve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në kuadër të kësaj dite, në Shqipëri hyrja në të gjitha muzetë dhe sitet kulturore do të jetë falas më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, si dhe më 21 maj, në Ditën Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim.
Nga data 18 deri më 24 maj, muzetë, parqet arkeologjike dhe hapësirat e trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin do të hapin dyert për një javë të mbushur me histori, art, kujtesë dhe aktivitete kulturore.
Nën temën ndërkombëtare të shpallur nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), “Museums Uniting a Divided World” (“Muzetë bashkojnë një botë të ndarë”), Java e Muzeve 2026 synon ta paraqesë trashëgiminë kulturore si një urë lidhëse mes njerëzve, kulturave dhe brezave, përmes dialogut dhe përvojave të përbashkëta.
Përgjatë gjithë javës do të organizohen aktivitete të ndryshme, ekspozita, guida, performanca artistike dhe programe edukative në muze dhe site kulturore në mbarë Shqipërinë.
Dita Ndërkombëtare e Muzeut u jep gjithashtu mundësinë profesionistëve të fushës të ndërgjegjësojnë publikun mbi sfidat me të cilat përballen muzetë dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.



