70 mijë turistë kanë prerë biletën për të vizituar muzeun ikonografik të Onufrit nga janari deri në gusht 2024.
Statistikat tregojnë se këtë vit, ky muze ka pasur 52% më shumë turistë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të paktën deri në dhjetor, sipas drejtuesve të muzeut, biletat e këtij të fundit janë të shitura te grupet e mëdha turistike.
Muzeu i Onufrit është përfshirë si paketë e përgjithshme turistike e Beratit dhe është i vetmi në rajon dedikuar tërësisht artit ikonografik.
Niveli i lartë artistik i ikonave të shekullit të 16, është i ekspozuar me 200 punime vetëm në Onufër pa llogaritur edhe ikonat që kanë kishat e tjera mesjetare të Beratit.
Këtë vit, qyteti po vizitohet nga turistë të shumtë të cilët kërkojnë të shohin muzeumin e Onufrit, por edhe të tjerë që ndodhen në lagjen Mangalem.
Sipas drejtorit të muzeut Onufri, surpriza e këtij viti ishte ardhja e turistëve francezë, kryesisht ato familjare.
Turistët, të cilët vijnë nga gjithë Europa kërkojnë të shohin sidomos ikonat që ruhen në muze. Ndërkohë vlen të përmendim se trashëgimia kulturore, historike dhe ikonografike e Beratit është përfshirë në të gjitha guidat e huaja.



