
116 vjet më parë, më 22 nëntor 1908, mbylli punimet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.
Në historinë e gjatë të përpjekjeve kombformuese të popullit shqiptar, Kongresi i Manastirit është padyshim një ngjarje e një rëndësie të veçantë. Përmes tij u vunë themelet e gjuhës shqipe si element kyç i identitetit kombëtar, falë njëjësimit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Delegatët e Kongresit vendosën që gjuha shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe apo greke, por me alfabetin latin me 36 shkronja, të përdorur ende sot.
Mbajtjen e punimeve të Kongresit të Manastirit, Banka e Shqipërisë e përkujtoi në vitin 2013 përmes dy monedhave numizmatike pa kurs ligjor, me tematikë “105-vjetori i Kongresit të Manastirit”.
Banka e Shqipërisë publikoi sot në rrjete sociale foto të dy monedhave numizmatike pa kurs ligjor tw cilat gjenden në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.



