Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael/ Veliaj: Shtëpitë që strehuan komunitetin hebraik në Tiranë do të kthehen në muze

Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael/ Veliaj: Shtëpitë që strehuan komunitetin hebraik në Tiranë do të kthehen në muze

Festivali i përbashkët kulturor Shqipëri-Izrael që nisi më 12 shtator në Tiranë, me qëllim vëmendjen te mikpritja shqiptare, priti kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ishin të ftuar nderi në mbrëmjen e dytë të eventit me fokus marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij hebre.

Në fjalën e tij, kryetari Veliaj, u shpreh krenar për mbrojtjen e hebrenjve në vendin tonë përgjatë Holokaustit dhe bëri të ditur se disa nga shtëpitë kryesore ku komuniteti hebraik është strehuar në Tiranë, të cilat do të kthehen në shtëpi muze.

 “Jam krenar që jam shqiptar kur dëgjoj historinë e një qyteti, – që sot kam unë fatin ta drejtoj, – i cili fillimisht kishte vetëm 200 hebrenj dhe në fund të luftës, në finale të asaj drame të madhe botërore kishte 2 mijë të tillë. Më vjen mirë, që, edhe në ditët e sotme ne jemi besnikë të kësaj historie. Kur mendoj për muxhahedinët që erdhën nga Irani dhe i rezistonin regjimit të Ajatollahëve ekstremistë në Iran, fillimisht në Tiranë për t’u zhvendosur diku tjetër, për miqtë, kolegët, partnerët që erdhën nga Afganistani fillimisht në Tiranë dhe pastaj për t’u zhvendosur diku tjetër, realisht më bën të ndihem krenar,” deklaroi ai, duke shtuar se, janë identifikuar tashmë nga Bashkia edhe disa nga shtëpitë kryesore ku komuniteti hebraik është strehuar në Tiranë, të cilat do të kthehen në shtëpi muze.

 Edhe ambasadorja Yuri Kim u shpreh e befasuar nga ky virtyt i mikpritjes shqiptare.

 “Ka shumë gjëra që thuhen për shqiptarët dhe për Shqipërinë, por, për mua, më e vërteta ndër to është ajo që thuhet për shqiptarët dhe për Shqipërinë të cilët janë njerëz të mikpritjes dhe të kurajës. Sa herë që dikush është në nevojë, shqiptarët janë të gatshëm të ofrojnë dorën e ndihmës. Ata e bënë këtë përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata e ribënë tani. Në situatat kur bota kalon në momente kur duhet të mbajë shënime, shqiptarët janë të gatshëm të ofrojnë bukë, kripë dhe zemër. Jam vërtet shumë krenare që ndodhem në mesin tuaj, por gjithashtu e di, si një qenie njerëzore nëse do rastis ndonjëherë të jem në vështirësi, vendin ku mund të vij të strehohem, do vij në Shqipëri. Mendoj që këto janë mësime që duhet t’i mësojë bota nga një vend kaq i vogël. Është një vend i vogël me zemër kaq të madhe,” u shpreh diplomatja amerikane.

 Në mbrëmjen e dytë të Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael 2021, i cili po zhvillohet në Tiranë nga data 12 deri në 21 shtator, u shfaq për herë të parë edhe dokumentari “Kodi Shqiptar”.

Festivali, përgjatë këtyre ditëve do të sjellë një varietet eventesh dhe shfaqjesh në fushat e muzikës klasike dhe tradicionale, arteve figurative, fotografisë, letërsisë, kinematografisë, kostumografisë, etj.

Ky event vjen në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit dhe do të shërbejë për të celebruar marrëdhëniet e ngrohta ndërmjet dy vendeve dhe ndërmjet dy popujve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy