Muzeu Historik Kombëtar ka përkutjuar sot në ditët e lindjes së tyre, dy vëllezërit atdhetar dhe ideolog, Abdyl e Sami Frashëri.
Më 1 qershor të vitit 1839 lindi Abdyl Frashëri, ideolog i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atdhetar, ushtarak, deputet shqiptar në Parlamentin Osman.
Vëlla i dy personaliteteve më të njohura shqiptare të kohës, Naim dhe Sami Frashëri, Abdyli u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo Kriza Lindore rrezikonte trojet shqiptare.
Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare.
Në fund të vitit 1877, duke qenë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll.
Abdyl Frashëri u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës.
Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, në janar të viti 1879, i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892.
Ndërkaq po sot përkujtohet në 173-vjetorin e lindjes, atdhetari, iluministi dhe ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri
Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850.
Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, me ç’ rast përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, gjuhën frënge dhe atë italiane.
Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu, mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke.
Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj.
Vdiq në Stamboll në moshën 54 vjeçare, më 18 qershor të vitit 1904.



