Në ditët e sotme, ideja e një burri me taka do të dukej, në mos qesharake, të paktën transgresive. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Pasi u bënë pjesë për herë të parë e modës perëndimore, në shekullin e XVII, ato u mbajtën nga meshkujt për më shumë se 130 vjet me radhë, duke u konsideruar si simbol i pushtetit dhe prestigjit. Edhe pse në shekullin pasues dolën nga moda, ato janë rikthyer herë pas here, jo si një mënyrë për ta sfiduar maskulinitetin, por si mjet për ta proklamuar atë. Ka disa stile jete, falë të cilave takat mashkullore janë veshur pa habitur njeri dhe kaubojsit janë shembulli i përkryer për këtë.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh përparësitë që gjatësia supozohet se jep, ajo që mbetet në fund është pyetja pse shumica e meshkujve nuk i veshin sot? Në të vërtetë, ajo çfarë mund të duket më e çuditshme për burrat me taka mund të jetë “sikleti” ynë kulturor mbi këtë temë.
Origjina
Takat nuk ishin një shpikje europiane. Këpucët me taka u shfaqën për herë të parë në Europën Perëndimore në shekullin XVII, por ishin veshur qindra vjet më parë në Azinë Perëndimore. Dëshmitë e hershme sugjerojnë për një lidhje të fortë të takave mashkullore me kuajt. Ato përdoreshin nga kalorësit, të cilët i ndihmonin për të fiksuar këmbët në mbajtëset anësore.
Këpucët perse të shekullit të XVII
Modelet e para europiane mund të jenë inspiruar nga ato perse. Këpucët perse ishin të tilla që lëkura e shollës zgjatej në pjesën e përparme të këmbës, një detaj ky që ishte i pranishëm në modelet e para europiane. Metali në thembra, tipike për dizajnin persian, nuk u zgjodh nga këpucarët evropianë.
Burra me taka
Moda e takave në Perëndim përkoi me fuqizimin e Persisë nën sundimin e Shah Abbasit të Parë ( 1588-1629), kohë kur interesi europian për tregti me të u rrit.
Edhe mbreti francez Luigji XIV (1643-1715) i futi në përdorim takat si simbol i privilegjit politik. Këpucët prej lëkure të kuqe me takë visheshin nga pjesëtarët e oborrit të tij. Stil të ngjashëm pati edhe mbreti Çarls II i Anglisë (1660-1685), i cili frymëzohej nga persët.
Në shekullin XVIII u shfaqën çizmet e kalorësve. Me takë dhe prej lëkure të trashë, ato përdoreshin nga kalorësit për të fiksuar këmbën në pjesën anësore të shalës së kalit.
Në Francën e Luigjit të XIV, këpucët e kuqe me takë mund të visheshin vetëm nga ata që ishin pjesë e oborrit. Perandorët e Bizantit vishin gjithashtu këpucë të kuqe, që ishin sinonim i pushtetit. Edhe papët e shekullit XVIII i preferonin, por në lartësi të moderuar.
Por në fillim të shekullit XVIII, gjërat ndryshuan. Sipas iluminizmi, meshkujt, madje edhe ata të klasave të ulëta, ishin të pajisur në mënyrë unike me mendime racionale dhe kjo cilësi i bënte ata në mënyrë të veçantë të denjë për pjesëmarrje në politikë. Ndërsa gratë, për dallim, shiheshin si me mangësi në arsyetim dhe të papërshtatshme për arsimim, shtetësi dhe kontroll të pronës. Moda nisi të shihej si e pavlerë dhe një domen më shumë i femrave. Thembra e lartë, një paragjykim kryesor që kishte të bënte me veshjen, u braktis nga shumica e meshkujve.



