
Viti 2023, do t’i kushtohet shkrimtarit dhe poetit Petro Marko, që është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare shpallën këtë vit si “Viti i Petro Markos”, në nder të 110-vjetorit të lindjes së një prej figurave të rëndësishme të historisë sonë letrare.
Në aktivitetin e zhvilluar në QKLL ishte e pranishme e bija e shkrimtarit Aranita Marko, drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, si dhe studiues dhe shkrimtarë.
Bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, familjen e shkrimtarit, përgjatë këtij viti do të nderojmë kontributin e tij në letrat shqipe, përmes aktiviteve të ndryshme, leximeve, konferencave, ekspozitave, botimeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Në vitet 1950 - 1960, Petro Marko ishte romancieri më popullor dhe vazhdoi të ishte ndër më popullorët, edhe kur romanet e tij ishin mbyllur në biblioteka si të papërshtatshme. Koha e leximit të tyre, për shkak të shndërrimeve rrënjësore të horizontit të pritjes, është e ndarë në dy periudha: me censurë dhe pa censurë.
Një personazh i rëndësishëm i historisë sonë letrare. Fati i familjes Marko është ndoshta nga më tragjikët në historinë e shkrimtarëve të ish-vendeve komuniste, që do të na kujtojë gjithnjë raportin që diktaturat patën me letërsinë.
Petro Marko (Dhërmi, 25 nëntor 1913 - Tiranë, 27 dhjetor 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar dhe shkrimtar shqiptar i shquar.
Pas çlirimit, Petro Marko shkruan romanet "Hasta la vista" (1959) dhe "Qyteti i fundit" (1960).
Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës".



