
Me gjithë vendimin e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar, artistë dhe qytetarë vazhdojnë të protestojnë dhe nuk do të ndalojnë derisa qeveria të tërhiqet nga plani i saj për të hedhur në tokë godinën.
Mbrëmjen e sotme, aktorë dhe qytetarë janë mbledhur sërish pranë Teatrit Kombëtar, duke vijuar me kërkesën e tyre që ky teatër mos të shembet.
Gjatë fjalës së tij, aktori i njohur, Alfred Trebicka, i ka bërë thirrje edhe një herë qeverisë që të mos preket Teatri, ndërsa thirrja ka qenë edhe për qytetarët për të mos ndalur së protestuari deri sa të anulohet ky projektligj.
“Diktaturat e sofistikuara kanë shembuj jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë… por kanë dhe shembuj kundërreagimi, dhe është e freskët fare! Robert De Niro i tha fuck you Donald Trump-it, dhe ne duhet t'i themi këtij tonit fuck you”, tha Trebicka.
Nga ana tjetër, Edmond Budina u shpreh se do të ngujohen në teatër dhe se nuk largohen nëse qeveria nuk tërhiqet nga shembja.
“Të mblidhemi të gjithë në teatër, të ngujohemi derisa qeveria të tërhiqet nga shembja. Të premten në orën 19:00 të mblidhemi dhe t'i kërkojmë qeverisë të tërhiqet nga drafti”, u shpreh ai.
Kujtojmë se qeveria paraqiti një drat të veçantë për prishjen e godinës së Teatrit, toka e së cilës do t’i jepet një kompanie pa tender dhe garë për të ndërtuar godinën e re që preazantoi vetë kryeministri Rama duke i hapur rrugën shembjes së asaj ekzistuese, por që ka hasur në rezistencën e aktorëve dhe shoqërisë civile që kundërshton këtë vendim të qeverisë.



