
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka njoftuar takimin me ministren e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Irena Stefoska në Tiranë.
Dy ministret morën pjesë në hapjen e qendrës kulturore të Maqedonisë së Veriut.
“Qendrat kulturore janë ura komunikimi e njohjeje. E tillë është edhe qendra kulturore e Maqedonisë së Veriut, që u hap sot në Tiranë. Së bashku me homologen Irena Stefoska biem në një mendje, që të kemi sa më shumë aktivitete të përbashkëta, që përcjellin, sidomos te brezi i ri dashurinë për vendin, për kulturën, tolerancën dhe respektin për tjetrin”, u shpreh Margariti.
Margariti informoi poashtu se në takim u diskutua për të çuar përpara disa çështje me rëndësi, që lidhen me liqenin e Ohrit, luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta.
“Është koha që marrëveshjet e nënshkruara në letër t’i shndërrojmë në nisma konkrete”, tha Margariti.
Prej vitit 2019, edhe pjesa shqiptare e rajonit të liqenit të Ohrit, është pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s.
Që nga viti 2014, Shqipëria ka qenë pjesë e një projekti të financuar nga BE me Maqedoninë e Veriut që ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të menaxhimit për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në liqenin e Ohrit.



