Rexhep Hida, botues dhe përkthyes, analizoi në studion e MCN Informacion sfidat e përkthimit. Hida veçoi dy kriteret bazë që e bëjnë një përkthyes të mirë.
Sa kohë që një gjuhë ekziston, ajo i plotëson kërkesat e komunikimit. Veçoria e përkthimit qëndron te veprat filozofike apo sociologjike. Sepse ne nuk kemi traditë. Nuk kemi filozofë si Niçja, Jungu apo Sartri. Pra lind nevoja e kritereve për të shqipëruar termat. Përkthimet e letërsisë artistike janë njësoj. Këtu duhen njerëz të talentuar. Nuk mjaftojnë njerëz që thjesht njohin gjuhën. Përkthimi ka parimin e parë saktësinë. Pra, besnikëri jo skllavëri. Një përkthim ku përkthyesi i qëndron skllav origjinalit, është përkthim shabllon. Ndërsa përkthimi i lirë është më i këndshëm. Me një redaktim të kujdesshëm, ai mund t’i afrohet origjinalit. Që përkthimi të jetë i saktë, duhet të jetë i qartë, të përcjellë muzikalitet.
Përkthyesi duhet ta njohë gjuhën në mënyrë të plotë. E dyta duhet të ketë talent, pra të riprodhojë në mënyrë krijuese.
Në rast se nuk ke një element prej krijuesi, është shumë e vështirë të bësh përkthime të mira. Ne kemi përkthyes të talentuar. Mund të përmend përkthimet e Fan Bolit, Nasho Jorgaqit, Edmond Tupes, Primo Shllakut etj.
Përkthehet kryesisht nga anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja. Përkthimi nuk është veprimtari përfundimtare. Në një moment tjetër, përkthimi mund të ribëhet.



