Në kuadër të Javëve Ndërkombëtare Kulturore, ka nisur sot aktivitetin ‘Java e Kulturës Turke’ e cila u çel zyrtarisht sot në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Me muzikë të veçantë dhe ekspozitë ku pasqyrohet trashëgimia e pasur historike dhe kulturore, programi ofron një mundësi unike për të zbuluar thesaret kulturore turke.
Në kuadër të kësaj jave, Instituti “Yunus Emre” ka organizuar ekspozitën “Copëza nga kultura turke”, ku janë shfaqur 30 vepra të zgjedhura që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të Turqisë. Ekspozita paraqet vlera të lashta kulturore, figura të shquara të historisë dhe pasuri arkitekturore e gjeografike të Turqisë.
Java e Kulturës Turke është pjesë e nismës “Javët Kulturore Ndërkombëtare”, një platformë që synon të prezantojë kultura të ndryshme botërore për publikun shqiptar.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 15 shtator 2024.
Ndërsa në datat 12 dhe 13 shtator, në Tiranë dhe Durrës, një përzgjedhje e pjesëve më të mira të Ahmet Adnan Saygun dhe Ulvi Cemal Erkin, dy pionierë në fushën e kompozimit të muzikes turke, do të performohen nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit të Stambollit, për shijet muzikore të publikut shqiptar. Pjesët muzikore përfshijnë melodi popullore nga të gjitha rajonet e Anadollit dhe shpalosin karakterin e muzikës popullore turke në një kuptim universal.




