Sot Korça shënon 108 vjetorin e krijimit të Krahinës Autonome të saj.
Në kuadër të kësaj dite, kryetari i Qarkut Erjon Nexhipi, ka bërë të ditur se Shtëpia e Flamurit në Korçë pritet të kthehet në një muze.
Ai tha se tashmë janë garantuar fondet, pritet vetëm fillimi i punimeve për një tjetër muze që do i shtohet Korçës, ku do të paraqiten koleksione dhe sende të rëndësishme për historinë e zonës.
Veç të tjerash ditën e sotme është çelur një ekspozitë e veçantë për 108 vjetorin e krijimit të Krahinës Autonome të Korçës, si një kujtim për çetat patriotike dhe patriotët e zonës.
Ekspozita trajtohet dhe ndahet në disa tematika të ndryshme të pasqyruara me foto dhe dokumente: çetat Patriotike, shpallja e Krahinës autonome dhe krijimi i Shtetit të ri, ushtria Franceze dhe varret e francezëve ne Korçë, varri Monumental i Themistokli Gërmenjit, Frankofonia në qytet dhe materiale të kohëve të fundit.
Shpallja e Korçës krahinë autonome është një nga ngjarjet që ka shënuar historinë.
Rreth 180 dokumenta, shumica prej tyre për herë të parë janë ekspozuar në shtëpinë e flamurit në Korçë.
Aktivitete të shumta janë zhvilluar në kuadër të kësaj dite në kryeqendrën e juglindjes, ndërsa për muzeun që pritet të nis së shpejti puna, do të krijoj një tjetër atraksion historik dhe turistik të rëndësishëm për vetë zonën.
Sipas Protokollit të 10 dhjetorit 1916, qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze.
Por më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.
Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës.



