
Albanologu Brian D. Joseph u pranua anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me vendim të Asamblesë më 27 nëntor 2021.
Ceremoninë e çeli Aristotel Spiro, që paraqiti kontributet shkencore të albanologut amerikan Brian D. Joseph. Ai e quajti Brian D. Joseph, nga mendjet më të ndritura të albanologjisë moderne që me mprehtësinë e mendimit të tij ka rishikuar dhe saktësuar mjaft nga konceptet bazë të gjuhësisë teorike dhe ka kontribuuar që këto koncepte të perceptohen në një mënyrë më realiste
Vetë Brian D. Joseph paraqiti ligjëratën akademike “Rëndësia e shqipes për mua dhe për të gjithë: jeta ime me gjuhën shqipe dhe me gjuhësinë shqiptare”.
Ai e përcaktoi studimin e gjuhës shqipe me rëndësi të veçantë në njohjen e zhvillimit të njerëzimit dhe profilit të vetë shqipes në trungun e gjuhëve indeuropiane.
Për mua, t’i bashkohem radhës së shkencëtarëve të shkëlqyer që përfaqësojnë Akademinë, e ndër ta albanologëve më të shquar, është një njohje që as do të mund ta kisha ëndërruar para më se dyzetë vjetësh, kur iu futa studimit të shqipes si një mënyrë për të zgjeruar kuptimin tim për gjuhët ballkanike dhe për konvergjencën gjuhësore që ato shfaqin.
Në përgjithësi, për mua, ka qenë një kënaqësi që kam qenë në gjendje të ofrojë njëfarë ndriçimi mbi gjuhën shqipe dhe të tregojë se si ajo ofron një pasqyrë në fenomene më të përgjithshme të gjuhës njerëzore.
Dhe të njihem nga Akademia për kontributet e mia është përtej asaj që mund të kisha shpresuar ndonjëherë.
Ndërsa nga njëra anë ky është një nderim personal, nga një anë tjetër më e rëndësishme, ai ka domethënie të madhe për studimet shqiptare në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara.
Tash në dhjetëvjeçarin e fundit kam udhëhequr disa diploma studentësh të programit master dhe atij doktoral, të cilët kanë punuar me mua në çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare. Me njohjen më të madhe që më jep anëtarësimi në Akademi, mund të shpresoj që të rritet numri i studentëve në vitet e ardhshme. Në këtë kuptim, të qenët tim Akademik Nderi do të kontribuojë në çuarjen përpara të çështjes së gjuhësisë shqiptare, që është me siguri një çështje e rëndësishme.
Pas këtyre ligjëratave dhe përshëndetjeve të akademikëve Matteo Mandalà, Francesco Altimari (online) e akademiku Shaban Sinani, si dhe albanologut rus Alexander Rusakov, albanologut Brian Joseph iu dorëzua diploma nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi që e përgëzoi për kontributin e tij në hulumtimet akademik dhe kërkimet në terren.
Është një rritje e cilësisë shkencore të Akademisë sonë anëtarësimi i prof. Brian. Jemi më se të bindur që ardhja e tij në gjirin e botës sonë akademike është tregues i një përparimi tashmë të dukshëm në rrugën e reformimit të Akademisë për të mirën dhe forcimin e kërkimit shkencor në planin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Si vazhdues i traditës më të mirë amerikane të studimeve shqiptare, ai e ka ndikuar për të nxitur dhe vendosur lidhje të qëndrueshme ndër-albanologjike. Shqipja në kontekst të gjuhëve indoeuropiane; shqipja dhe lidhja gjuhësore ballkanike; shqipja dhe gjuhët me ndikim për shkak të fqinjësisë historike; dialektet e shqipes; shqipja në studime krahasimtare, janë disa nga fushat në të cilat Brian D. Joseph shquhet si kontribues cilësor.



