Sot është ndarë nga jeta akademiku shqiptar Rexhep Qosja. Përcjellja e tij në banesën e fundit u bë në një ceremoni private, larg vëmendjes së medias dhe publikut.
Kjo ka qenë dëshira dhe amaneti i vetë akademikut Qosja, të cilin ia kishte lënë nipit të tij, Valjetit.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe letra e tij e fundit, e nënshkruar nga vetë Qosja, ku ai lë udhëzime të qarta për mënyrën se si duhet të organizohet varrimi pas vdekjes së tij.
Në letrën e tij, Qosja kërkon që ceremonia mortore të zhvillohet vetëm në praninë e familjarëve të afërt dhe pa pjesëmarrje zyrtare apo publike.
Ai thekson gjithashtu se nuk dëshiron rituale fetare, fjalime, media apo lule, duke kërkuar një përcjellje të thjeshtë dhe private.
Sipas amanetit të tij, varrimi duhet të bëhet pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresa Qosja.
Amaneti i Rexhep Qoses:
Një letër për fundin.
Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.
Valjeti
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016




