Për dy natë radhazi në Shkodër u zhvillua edicioni i parë i festivalit të këngës popullore qytetare “Prandeverë me Kangë”.
Në këtë festival morën pjesë artistë e kompozitor të njohur por edhe nga brezi i ri duke vijuar traditën e bukur të këngës shkodrane.
Mes 13 këngëve që garuan në fund juria vlerësoi këngën “Gëzime Paçi Gjithmonë” të këngëtarit Bujar Qamili me muzikën e Jetmir Barbullushit dhe tekstin e Paulin Shtjefnit.
Artisti Bujar Qamili “Nderi i Kombit” vlerëson festivalin e parë të këngës popullore ndërsa pjesë e interpretimit ishte edhe aktori Agron Dizari “Mjeshtër i Madh".
Çmimin e dytë e mori kënga “Tinguj Zemrash” e interpretuar nga Ademir Fresku dhe Megi Toma ndërsa me çmim të tretë u vlerësua Martina Serreqi me këngën “Unë kam Sytë e Tu”.
Teksti më i mirë shkoi për poeten Rozafa Shpuza ndërsa juria dha disa çmime për performancën më të mirë për këngëtarin nga Gjakova Artan Bakija dhe zërat më të mirë të festivalit për artistët e rinj Blerta Cina, Savjana Vjerdha dhe Martina Serreqi.
Drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka dhe udhëheqësi artistik Ilir Zogaj, shprehen se ky festival i këngës popullore është vijimësi e identitetit të Shkodrës sa i përket muzikës dhe këngës popullore qytetare.



