ANILA DEDAJ
Me veprat e tij, si skica, portrete, peizazhe hiper realiste, apo karikaturë, Agim Sulaj, këtë vit të jashtëzakonshëm ka sfiduar jo vetëm veten por edhe pandeminë. Distancën, nga Italia ku jeton prej viteve ’90 dhe Shqipërisë së tij, e ka shkurtuar përmes ekspozitës “Heronjtë” të çelur në kryeqytet në hotel “Plazza” këtë fundvit. Një ngjarje artistike, tashmë e kthyer në traditë, për të kultivuar “Rrënjët” përmes artit pamor. Ndonëse prej kohës që piktori 19-vjeçar nga Vlora spikati me satirën e tij figurative në revistën “Hosteni”, kanë kaluar dekada të mbushura me mbi 60 çmime ndërkombëtare deri edhe “Oscar-in e karikaturës” (Grand Prix de Cartoon), lidhjen me vendin, e konsideron të shenjtë. Ekspozimi i veprave në Shqipëri është për të një domosdoshmëri, një mënyrë bashkëbisedimi përmes imazhit të pikturës me dashamirësit e tij, por edhe një gjetje për të trajtuar probleme e tematika që prekin aktualitetin. Si “kolonë” të ekspozitës “Heronjtë” këtë vit ka përjetësuar në telajo përqafimin e doktor Jospeh Varon dhe pacientit të tij të moshuar me COVID-19, në Qendrën Spitalore “Houston” në Teksas gjatë Ditës së Falënderimeve. Një vepër që mbështjell dhembshurinë, përkrahjen, forcën, apo siç thotë për “Tvt” Sulaj, “një shprehi të lartë të dashurisë njerëzore”. 25 pikturat e tij, degëzohen më tej, në vlerat identitare, peizazhe, lagje, rrugica etj., që siç artisti tregon, në çdo kthim të tij i gjen të tjetërsuara. Apo më keq, zhvillimi urbanistik e transformimi i qyteteve, nuk lë asnjë gjurmë të tyre. Nga Skënderbeu, tek tabloja “Koka e prerë e Ali Pashës” (origjinalja është ekspozuar në muzeun e “Ali Pashës” në Janinë, prej 23 vitesh) e nostalgjia e skicave të viteve të rinisë, të kthyera në piktura në vaj, ekspozita e Sulajt shkon përtej harmonisë së ngjyrave e formave impresionuese, duke përçuar mesazhe të forta.
Zoti Sulaj, një ekspozitë në kohë pandemie, ndonëse për herë të parë s’keni mundur t’i gëzoheni nga afër fjalëve të dashamirësve. Si po e përjetoni të gjithë këtë periudhë?
Ekspozita është në vazhdën e “Rrënjëve”, të cilën unë e kam konceptuar si një dhuratë me punët e mia ndaj artdashësve të mi. Çdo vit kthehem me gëzim, për të krijuar një kontakt të drejtpërdrejtë, për të parë se si konceptohet puna ime. Këtë vit, situate është e tillë, që lëvizjet janë të kufizuara, dhe nëse unë do thosha se do shkoj në Shqipëri të çel një ekspozitë, nuk do të më lejonin. Megjithatë, edhe si një lloj fitoreje ndaj COVID-19, për të treguar se kjo pandemi nuk e pengon artin, humanizmin, punën, unë gjeta këtë formë për ta çelur. Kjo periudhë për mua ka qenë një zhytje në punë, paradite pikturoj, ndërsa në pasdite realizoj karikatura. Po ashtu shfletoj edhe ftesat që më vijnë nëpër konkurse duke përzgjedhur se ku do të çoj veprat e mia. Kështu vitin që vjen, nga qershori, jam i ftuar në Poloni për një ekspozitë personale në “Satyricon”, që është edhe qendra më e madhe e karikaturës botërore. E pas kësaj pritet të ekspozoj në Portugali.
Piktura qendrore e ekspozitës suaj është frymëzuar nga një fotografi e realizuar në Teksas, ku një mjek përqafon pacientin e moshuar. Përse kjo zgjedhje?
Ajo foto ishte surprizë për mua. M’u duk si tabloja “Kthimi i djalit palngprishës” e Rembrandt, por me role të ndryshuara, sepse në këtë rast ishte i moshuari që mbështetej tek mjeku, ndërsa përqafoheshin. Tek ai imazh unë pashë humanizëm, dashamirësi, një shprehje të lartë e fisnike të dashurisë, ndaj e lashë si “kolonën” kryesore të ekspozitës. Por, punët e mia për pandeminë kanë qenë disa, përfshirë edhe karikatura me të cilat kam marrë pjesë në konkurse ‘online’, ku edhe jam vlerësuar.
Nuk mungon as imazhi i heroit, përmes pikturës së Skënderbeut. Një portret krenar e i lavdishëm, që përqafohet lehtazi. Sa i përket trajtimit të heronjve, ka pasur një debat rreth shtatoreve të vendosura këtë vit në Prizren për shtatoren e Skënderbeut dhe atë të Adem Jasharit, vendosur në festat e Nëntorit. Si u janë dukur këto punime?
Vizatimi im i parë i Skënderbeut ka qenë në dërrasën e zezë, diku rreth moshës 8-vjeç. Një profil i vizatuar me shkumës, gjatë një ore mësimi në shkollën “4 heronjtë” në Vlorë. Prej asaj dite, Skënderbeu dhe figurat e tjera kombëtare për mua kanë qenë si vorbull. Çdo artist ngacmohet nga madhështia e atij njeriu. Mirëpo heronjtë ushqejnë shpirtrat e njerëzve, të cilët tanimë e kanë një imazh të kësaj figure në mendje.
Rastet e fundit në Kosovë i kam ndjekur dhe pa dashur të zhvlerësoj punën e asnjë krijuesi,mund të them se ato vepra më duken butaforike. Skënderbeu duket si një figurë anemike, që mund të jetë kushdo,por jo ai që imazh që ka qarkulluar tek njerëzit, edhe nga mjeshtra si Odhise Paskali apo Janaq Paço. Përkrenarja, nuk duket e një heroi, por e ndonjë luftëtari të Mesjetës. Mendoj se kjo vepër me kalimin e kohës do sfumohet.
Ekspozita “Heronjtë”, ka si pjesë të sajën, edhe peizazhe, lagje të vjetra ku “ngre kokë” nostalgjia…
Po bëj në Itali, aq vite, sa edhe kam jetuar në Shqipëri, por e ndiej të nevojshme t’u rikthehem “rrënjëve”. Në shtëpinë time varur në mur, qëndrojnë skicat e viteve të Liceut e të Akademisë, vizatimet që i bëja Tiranës, apo edhe peizazhet me gurë të Vlorës, të cilat i kthej në piktura. Për nostalgji, por edhe një lloj përpjekje për t’i mbajtur në jetë, së paku në vepër. Sa herë kthehem, aq më shumë mungesa të asaj që Shqipëria ka qenë, vërej. Jo se nuk e prisnim apo jemi kundër zhvillimit të qyteteve, por jo në këtë formë. Që njeriu të mos njoh më vendin ku është rritur.
Në vendet në të cilat jetojmë, qendrat historike janë të shenjta, në Shqipëri jo. Kam frikë se një ditë brezat e ardhshëm, do kujtojnë se ky vend është ndërtuar në vitet 2000. Do pyesin “si kemi jetuar më para”. Jo më kot qytetet perëndimore ruajnë fytyrën e tyre, i lënë të paprekura qendrat historike, duke restauruar e kthyer çdo tullë a gozhdë, ashtu siç ka qenë. Ndërsa tek ne ka ngelur kaq pak trashëgimi arkitektonike.



