
Me koncertin e titulluar “Këndojmë me Orkestrën e Ansamblit Popullor” instrumentistët e Ansamblit Popullor do të përformojnë përgjatë dy netëve radhazi me një repertor të pasur muzikor.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se për herë të parë, orkestra e Ansamblit Popullor vjen në një formë krejtësisht origjinale, me një koncert recital.
Në datat 3 dhe 4 dhjetor, ora 19:00, vjen ky recital risi, sepse për herë të parë, repertori më i spikatur i muzikës instrumentale të orkestrës së ansamblit, vjen në një formë krejtësisht origjinale, duke u integruar edhe me këndimin e orkestrës.
Orkestra e Ansamblit do të luajë muzikën dhe njëkohësisht edhe do të këndojë në momente të veçanta.
Koncerti organizohet në vijim të veprimtarisë artistike që po zhvillon orkestra e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore ose Ansambli Popullor është krijuar në vitin 1957.



