Biblioteka Kombëtare hap ekspozitën "In memoriam" për akademik Aleks Buda

Biblioteka Kombëtare hap ekspozitën "In memoriam" për akademik Aleks Buda

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite ‘in memoriam’, ka përkujtuar akademikun Aleks Buda, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur si një studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj. Aleks Buda, personalitet i jashtëzakonshëm i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, ka qenë edhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në vitet 1945-1946 dhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që në themelimin e saj në vitin 1972 deri në vitin 1993. Kjo ekspozitë përmbledh vetëm një pjesë modeste të trashëgimisë së tij të pasur në fushën e studimeve albanologjike, historike, gjuhësore përmes botimeve të shumta studimore, konferencave shkencore por sjell edhe kontributin e tij në drejtimin e shtypit periodik shqiptar, si dhe përmes artikujve shkencorë në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare. Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë, duke orientuar kërkimet shkencore në studimin e historisë së kombit shqiptar, në mënyrë të veçantë të historisë së lashtë, asaj mesjetare dhe të Rilindjes Kombëtare. Aleks Buda i dha shkencës shqiptare punime përgjithësuese themelore, sikurse janë studimet për formimin e etnosit ilir, për urbanizimin në Iliri dhe për formimin e uniteteve etnike-kulturore. Ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe në trajtimin e problemeve të historisë së Rilindjes, duke i lënë kulturës kombëtare një trashëgimi të pasur, studime me problematikë të gjerë arkeologjike, historike, gjuhësore etj., të përmbledhura në katër vëllime me titull “Shkrime historike” (I–II, 1986; III, 2002; IV, 2000). Pjesë të zgjedhura prej tyre janë botuar nga AShAK në vëllimin “Studime historike” (Prishtinë, 2006). Aleks Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive “Historia e Shqipërisë” (vëll. I–II, 1959, 1965), vepër krejt e re si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik; është gjithashtu bashkautor dhe bashkëredaktor i botimit të ri të “Historisë së Shqipërisë” (vëll. II, 1984), bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, vëll, II, 2002. Ka dhënë ndihmesë të çmuar në udhëheqjen shkencore të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”; botimin “Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV”; “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”; “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme në shekullin XVII”; “Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë”; “Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit : 1878-1881”; “Kuvendi i studimeve ilire”; “Rrethimi i Shkodrës”; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu : bibliografi” etj. Në këtë ekspozitë një vend të rëndësishëm zë edhe kontributi i tij si redaktor. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ruan në fondin e saj bibliotekën personale prej rreth 9.000 librash të akademikut Aleks Buda, dhuruar BKSh-së nga familja në vitin 2008. Aleks Buda ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të kl. I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990). Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy