
Kisha e Shën Athanasit në Voskopojë, i është nënshtruar restaurimit të përgjithshëm. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka njoftuar se tashmë për këtë monument kulture të kategorisë së I, kanë nisur punimet për restaurimin e saj.
Margariti, thekson se bashkë më shqetësimin e ministrisë për dëmtimin e çatisë së kishës së Shën Athanasit në Voskopojë iu bashkua edhe ai i komunitetit.
Ky projekt përfshin restaurimin e kupolave, çatisë dhe e strehës dekorative.
“Kisha e Shën Athanasit është monument kulture i kategorisë I, i shek. XVIII, një nga më të bukurat e Voskopojës, që ofron një informacion të pasur përmes mbishkrimeve. Projekti i financuar nga Abi Bank- American Bank of Investments, parashikon restaurim të kupolave, të çatisë, strehës me dekoracion etj”, tha Margariti.
Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njëjtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada.
Në pikturat e arkadës vëllezërit Konstantin dhe Athanas kanë prezantuar me mjeshtëri një cikël të zgjeruar të Apokalipsit, i cili konsiderohet si cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë.



