Muzeu Etnografik i Beratit ka prezantuar për herë të parë para publikut dy nga objektet më të hershme arkeologjike të zbuluara në territorin e Kalasë së Beratit: një sëpatë guri dhe një çekan guri që i përkasin periudhës së Bronzit të Hershëm.
Të zbuluara nga arkeologia Hëna Spahiu gjatë kërkimeve arkeologjike të viteve ’70, këto objekte kanë qëndruar për dekada në fondin e muzeut pa u ekspozuar.
Ndëkohë, ato bëhen pjesë e ekspozitës së përhershme, duke u prezantuar për herë të parë për vizitorët.
Artefaktet përbëjnë një dëshmi të rrallë të hershmërisë së jetës në Berat dhe konfirmojnë rëndësinë e qytetit si një nga vendbanimet më të vjetra të njohura në territorin e Shqipërisë.
Ekspozimi i tyre shënon gjithashtu një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një paneli të ri arkeologjik në Muzeun Etnografik, duke pasuruar më tej fondin ekspozues dhe vlerat historike që ai prezanton.
Muzeu Etnografik i Beratit ruan një koleksion prej rreth 1.300 objektesh, të cilat dëshmojnë kulturën, traditat dhe mënyrën e jetesës së trevës së Beratit ndër shekuj.
Pas një procesi restaurimi dhe konservimi, muzeu rihapi dyert për vizitorët gjatë muajit qershor, duke shtuar një tjetër atraksion në ofertën turistike të Beratit, një prej destinacioneve më të vizituara në vend.



