
Një grup fëmijësh shqiptarë me banim në Greqia janë nxënësit e parë të shkollës verore që organizon Qendra e Botimeve për Diasporën. Ata kanë udhëtuar nga Athina, së bashku me mësuesit shoqërues, për t’iu bashkuar stafit të QBD në një sërë aktivitetesh, të cilat kanë për qëllim t’i afrojë fëmijët shqiptarë të rritur jashtë me vendin e origjinës.
Projekti-pilot parashikonte kurse të gjuhës dhe kulturës shqiptare, vizita në qytete të ndryshme me rëndësi historike e kulturore etj.
Dita e parë e shkollës verore u shënjua me një vizitë në mjediset e Radiotelevizionit Shqiptar dhe më pas me një takim me ministren Evis Kushi.
Në ditën e dytë, ata u pritën nga president Bajram Begaj, për të udhëtuar më pas drejt Lezhës, ku vizituan kalanë dhe sajtet e tjera të trashëgimisë kulturore e historike. Vizita u pasua nga një takim me autoren Lulëzime Celami.
Në ditën e tretë, fëmijët vizituan Shkodrën, djepin e kulturës shqiptare. Ata morën pjesë në “Ora Shqip”, një takim me poeten dhe fotografen znj. Rozafa Shpuza, në galerinë Oda”.
Më pas u njohën me qytetin e Shkodrës dhe fakte interesante, historike e kulturore të tij, për të vijuar me një vizitë në kalanë e Kalanë e Rozafës, si dhe me një shëtitje nëpër qytet.
Kruja ishte stacioni i radhës, ku vizituan kalanë, muzeun e kalasë dhe pazarin e vjetër të qytetit.
Mësimi i gjuhës shqipe në Greqi organizohet përmes Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe përfshin 35 kurse të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, të shpërndara në qytetet e Greqisë, por edhe në ishuj.
Këtë vit shkollor funksionuan 27 prej tyre dhe rreth 700 nxënës mbyllën me sukses vitin shkollor 2022-2023. Mësimi bëhet zakonisht në fundjave, për rreth dy orë.



