
Hapësira kulturore HangArt-Kinostudio çel sot sezonin e ri të dedikuar skenës së pavarur në Tiranë, me performanca artistike dhe ekspozita bashkëkohore.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi nisjen e sezonit të ri artistik, duke e cilësuar këtë hapësirë si një qendër të rëndësishme për artistët alternativë dhe komunitetet kreative.
Sezoni hapet këtë mbrëmje me performancën “No-w-Here” të Blenard Azizajt, një projekt i dedikuar energjisë së skenës alternative, artistëve të rinj dhe formave eksperimentale të krijimit bashkëkohor.
Me regji dhe koreografi nga Blenard Azizaj, “No-w-Here” eksploron përmes trupit dhe tingullit raportin mes pranisë, identitetit dhe hapësirës, duke sjellë për publikun një eksperiencë intime dhe intensive.
Sipas ministrit Gonxhja, HangArt-Kinostudio është një hapësirë që mirëpret grupet joformale, performuesit e underground-it urban dhe komunitetet kreative, të cilat po shndërrohen në një nga forcat më dinamike të kulturës së re shqiptare.
Të gjitha aktivitetet do të jenë falas dhe të hapura për publikun.



